Kjo shkresë është një reagim ndaj shkrimeve ta botuara në faqet 12 - 13 të revistës Shqip, Nr 45, Prill 2006, si dhe pse jo, qindra shkrimeve të tjera në të përditëshmet shqiptare, po ashtu. Gjykoj se ka shumë rëndesi që t’ju shpreh dhe të ndaj me ju shqetësimin që kam për morinë e gabimeve dhe njëkohësisht padrejtësinë që po i bëhet gjuhës Shqipe në ditët e sotme; fatkeqësisht, një traditë pothuajse pesëmbëdhjetë vjeçare. Unë nuk jam as gjuhëtarë dhe akoma, as kritik i mirëfilltë i letrave, e konsideroj veten një qytetarë të thjeshtë dhe një student në formim e sipër. Falë gabimeve të panumërta të gjithanëshme, si dhe abuzimit të përditshëm që gazetarët dhe redaktorët shqiptarë, mbase me dashje, ndoshta si rrjedhoje e përtacisë, apo mos dashurisë për zanatin e tyre, pra detyrim financiar për të mbijetuar, apo cilado qoftë arsyeja, nuk është e nevojshme të jesh as gjuhëtarë dhe as kritik, mjafton të jesh një njeri i thjeshtë që të vritesh shpirtërisht nga fakti që gjuha Shqipe sa vjen e shlyhet nga harta e gjuhëve të botës. Tanimë, jo vetëm që rasat e emrava kanë dalë jasht loje, por edhe shkronja si “ë”, “ç” etj, janë joegzistente ne shkrimet gazetareske. Deri kur do të ndodh kështu? Një shembull mjerues të këtij fenomeni i cili dalë ngadalë po e shpie gjuhën Shqipe drejt varrezës së asaj Latine, janë shkrimet “Rikthimi i Haradinajt” nga Gëzim Podgorica i cili gjendet në faqen 12 të të përmuajshmes Shqip, si dhe shkrimi “Agim Çeku, Gjenerali kryeminister” nga Alma Lame, në faqen vijuese të të njëjtit numër të revistës. Në te dyja këto shkrime, autorët, as që nuk e vrasin mëndjen që të pakten të përdorin më shpesh shkronjat “ë” e “ç”. Sikur të ishin një gabim apo dy në të gjithë shkrimin e një të përditshmeje, disi hahet turpi me bukë, sepse njeriu mund të arsyetojë konkurimin e ekonomisë së tregut dhe pasojat anësore. Por kur një artikull i botuar në një revistë të përmuajshme, si në rastin e dy shkrimeve, dhe pikërisht atij të dytit, të cilin e përment më lart, si mund të menjanohet apo si mund të qorrohemi dhe shurdhohemi përballë të pakten 51 gabimeve të pafalshme përkundrejt përafërsisht 700 fjalëve që përmban komplet shkrimi? Kush e ka fajin, redaktori, gazetari apo Qeveria Shqiptare që nuk ka ndërtuar një strukturë që do të kujdesej dhe do të ruante këtë pasuri të pa shterrshme, të pazëvëndësueshme, e cila nëse e lëmë pas dore edhe për pak kohë, do na ikë dhe nuk do të mund ta rifitojmë më kurrë. Më mirë të ruajmë cfarë kemi sot sesa të mburremi se çfar kishim dje, siç e kemi zakon.
GRAPHY
BAR